Ramadani për deklaratën e Mujës së VV-së: Gënjeshtër publike në foltoren e Kuvendit
Politologu, Shkodran Ramadani ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të VV-së, Armend Muja, duke thënë se ai ka gënjyer publikisht në Kuvendin e Kosovës ku tha se "më 2013 Kuvendi i Kosovës ka amnistuar Oliver Ivanoviqin".
Ai ka thënë se nuk çuditet që deputetë të VV-së përdorin folotren e Kuvendit për të përhapur gënjeshtra.
“Por, një parti e cila prej themelimit të saj e ka trajtuar foltoren më të çmuar në vend vetëm si platformë nacionale për të përhapur gënjeshtra, nuk më çuditë që edhe tani e vazhdon të njëjtën, veç me një dozë të shtuar të pafytyrësisë.” – ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.
Shkrimi i plotë:
Një deputet i pushtetit, duke synuar ta justifikojë tradhtinë e Albin Kurtit në glorifikimin e çetnikut Oliver Ivanoviq si një ndër burrat më të mëdhenj të Ballkanit, tha se "më 2013 Kuvendi i Kosovës ka amnistuar Oliver Ivanoviqin". E vërteta është se Ligji për Amnesti ka amnistuar vetëm autorët e Veprave Standarde Penale, ashtu siç bëhet në të gjitha shtetet që janë në një proces të normalizimit të raporteve pas konfliktit. Autorët e vrasjeve të civilëve, Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit nuk janë amnistuar. Për këtë arsye vetëm pak vite më vonë Oliver Ivanoviq dënohet me burg për vrasjen e civilëve shqiptarë. Kjo është një gënjeshtër publike në foltoren ku do të duhej të respektohej më së shumti e vërteta. Por, një parti e cila prej themelimit të saj e ka trajtuar foltoren më të çmuar në vend vetëm si platformë nacionale për të përhapur gënjeshtra, nuk më çuditë që edhe tani e vazhdon të njëjtën, veç me një dozë të shtuar të pafytyrësisë.
