Ramabaja: Qytetarët nuk po mund t'i shijojnë frutet e revolucionit - kapsit e shtetit po rezistojnë ende
Anëtari i Vetëvendosjes dhe analisti politi, Sadri Ramabaja, vazhdon të akuzojë partitë opozitare që dikur kanë udhëhequr me shtetin. Ai thotë se këto parti kishin ndërtuar sistem politik me “themel të kalbur”.
Ramabaja thotë se kur PDK udhëhiqte, vendi po shkonte drejt autoritarizimit dhe sipas tij, kjo po ndodhte për shkak të takimeve të qeveritarëve me Erdoganin dhe Orbanin.
“Demokracia jonë e brishtë për vite të tëra pas çlirimit, nuk kishte si të merrte jetë e të ecte në rrugën e duhur të prosperimit. Partitë tona politike dhe sistemi politik që ato kishin ndërtuar, ishte në themel i kalbur. Shih për këtë,me ta marrë timonin PDK-ja, sistemi po rrëshqiste në terrenin e autoritarizmit. Nuk ishte krejt e rastësishme miqësia e ish kryeministrit tonë me sivëllain e tij turk T. Erdogan dhe me neofashistin hungarez V. Orban.” – ka shkruar ai në Facebook.
Më tej, Ramabaja fitoren e VV-së e ka quajtur “revulucion demokratik të heshtur” dhe se qytetarët ende nuk po mund t’i shijojnë frutet e tij për shkak se grupi i “kapsve të shtetit po reziston ende”.
“Pasojat e atij sistemi të prishur sot i ndjejmë gjithandej, në të gjitha poret e jetës: në sistemin shëndetësor, në atë të arsimit, në ekonomi, e mbi të gjitha në drejtësi. Prandaj nuk ishte as e rastësishme dhe e paparitur edhe ndarja e shoqërisë në dy pjesë rigjide njëra kundër tjetrës, ku dy kampe të ngurtësuara po luftonin dhe vazhdojnë ta luftojnë ashpër njëra-tjetrën.”
“Revolucioni demokratik i heshtur i 14 shkurtit 2021 e bëri kthesën e duhur në rrafshin politik e emocional, por frutet e tij, qytetarët e thjeshtë, ende nuk po i shijojnë sa e si duhet në asnjërin nga segmentet e shoqërisë sonë. Eshaloni i barikaduar i kapsve të shtetit është pozicionuar fort dhe po reziston ende, sidomos në segmentet e drejtësisë dhe në ndërmarrjet publike.” – ka shkruar ai.
