Rama: VV-ja po i ngatërron raportet institucionale Kosovë -Shqipëri në çorbën e balotazheve komunale
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka reaguar ashpër Lëvizjes Vetëvendosje, e cila dje e ka akuzuar për lobues të Gjykatës Speciale.
Ai ka bërë me dije se reagimi i VV-së ka qëllime politike.
Në llogarinë e tij në “X”, Rama ka shkruar se partia e Albin Kurtit po i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale.
“Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve - kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë - i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.