Rama thotë se do të shpallet tender ndërkombëtar për shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë
Ndonëse kanë kaluar 25 vite nga përfundimi i luftës së fundit, në Prishtinë ende nuk ka një shtatore të Adem Jasharit, kryekomandantit të UÇK-së.
Megjithatë, duket se hapa në drejtim të shtatores së Jasharit në Prishtinë tashmë janë ndërmarrë. Përparim Rama, kryetar i Prishtinës, ka theksuar se do të hapet një tender ndërkombëtar në lidhje me shtatoren e Jasharit në kryeqytet.
“Ne kemi ndarë buxhetin për këtë edhe vitin e kaluar. Ishim të gatshëm ta shtyjmë përpara monumentin e heroit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, por ishim në diskutim edhe me familjen e heroit legjendar, për vendosjen e monumentit, dhe tash kemi vendosur që ta shpallim një konkurs ndërkombëtar, që me siguri do të bëhet sot, ku do të kërkojmë nga arkitektë, artistë e historianë të punojnë bashkë për të prezantuar ide të ndryshme, se si do të duket monument i ndërlidhur me peizazh, por edhe për propozimet për lokacionet e ndryshme që mendojnë arkitektët, artistët e historianët se do të ishte e përshtatshme për këtë monument”, ka thënë Rama.