Rama shkarkon Donjeta Sahatçiun nga posti i nënkryetares së Prishtinës
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë detaje nga ristrukturimi i kabinetit qeverisës të kryeqytetit. Ndër të tjera Rama ka njoftuar shkarkimin e nënkryetares së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ndërsa në vendin e saj është emëruar Jehona Lushaku-Sadriu.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i kryeqytetit njoftoi edhe për një sërë ndryshimesh në kabinetin e tij. Ai bëri të ditur se ka themeluar Drejtorinë për Informim, nën argumentin e “përshpejtimit të transformimit të Kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve.” Kryetar i kësaj drejtorie është emëruar arkitekti Ilir Murseli.
Më tej Rama ka njoftuar se në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit do të jetë vetëm një Drejtori, me kryetar Arbër Sadiki. Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit gjithashtu do të shkrihen në një Drejtori, e cila do të udhëheqet nga Doruntina Maloku. Ndërsa ish-drejtori i Kadastrit do të emërohet në pozitën e Zëdhënësit të Kryeqytetit. Drejtori i ri i Drejtorisë së Shërbimeve Publike do të jetë Bekim Brestovci.
Rama gjithashtu ka shkarkuar nënkryetaren Donjeta Sahatçiu nën pretendimet se “kemi ngecje në fushën e digjitalizimit”. Në vend të Sahatçiu, Jehona Lushaku – Sadriu, është emëruar Nënkryetare të Kryeqytetit dhe Ushtruese e Detyrës së Drejtores së Arsimit.
"Në anën tjetër, kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu. Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znj. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit." - ka shkruar Rama.