Rama pret në takim emisarin norvegjez: Folëm për nevojën e një lidershipi që ndërton bashkëpunim, e jo ndarje
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë dhe rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike.
Gjatë takimit, Rama theksoi nevojën për institucione të forta dhe një lidership që ndërton besim dhe bashkëpunim, në vend të ndarjeve. Ai vlerësoi se në një periudhë kur rajoni po përballet me sfida të shumta politike dhe sociale, partneriteti me shtetet mike që kanë mbështetur Kosovën ndër vite mbetet i një rëndësie të veçantë.
Kryetari i Prishtinës nënvizoi rolin e Norvegjisë si një mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës dhe si një zë i rëndësishëm për promovimin e paqes, demokracisë dhe stabilitetit në rajon.
“Biseda me z. Mathisen ishte një kujtesë se marrëdhëniet më të forta ndërtohen mbi besimin, respektin dhe vlerat e përbashkëta”, ka deklaruar Rama pas takimit.