Rama për investimet në Zvërnec: Për pronën private nuk vendosin as qeveritë dhe as protestuesit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi me banorët e Zvërnecit, ka folur për projektet investuese në këtë zonë dhe çështjen e pronësisë së tokave, duke theksuar se marrëveshjet janë arritur mes investitorëve dhe pronarëve privatë.
Rama deklaroi se nuk ka pasur asnjë përfshirje personale në marrëveshjet mes palëve dhe se shteti vepron mbi bazën e dokumentacionit zyrtar të pronësisë.
“Unë nuk kam takuar kurrë asnjë nga pronarët që përfliten. Asnjë. Nuk kam idenë fare për çfarë marrëveshje kanë bërë investitorët dhe privatët. Kur është folur për Sazanin dhe Zvërnecin kam thënë që në atë kohë se Sazani është është e qeverisë sesi do të shkojë marrëveshja ndërsa përballës Sazanit është private.
Pronarët privatë merren vesh privatisht. Nuk e vendosin as qeveritë e as protestuesit. Pjesa tjetër është siç ka vijuar. Agjencia që merret me mastër planet kërkon hipotekën ke apo ske, që ke apo s’ke marrëveshje me pronarët me hipoteke.
Dhe veprimtaria e agjencisë është e bazuar te se cfarë është paraqitur dhe verifikuar në hiptokë. Kjo është pjesa ka të bëjë më atë që shtrove dhe me sjelljen e shtetit. Sa kohë është tokë e blerë nga invesitorët eshtë e investitorëve”, tha ai ndër të tjera.
Duke komentuar pretendimet dhe kontestet rreth pronësisë, kreu i qeverisë tha se vendimi përfundimtar i takon gjykatës dhe se institucionet e drejtësisë po ndjekin procedurat përkatëse.
“Gjykata i ka të gjitha shanset për një hetim mjaft të qetë pozitiv për këdo qoftë që mund ta fitojë me gjykatë çështjen, sepse hetimi nuk bëhet për kompaninë, për investimin, për projektin, por hetimi është në proces për një individ, për një subjekt, që ka shitur pronën dhe për këtë arsye, pasi ka marrë të gjitha të dhënat nga Agjencia e Kontrollit të Pastrimit të Parave, SPAK ka lëshuar transaksionin, por e ka çuar në konton përkatëse në noter dhe te kontoja e noterit rri e bllokuar, derisa të sqarohet pozicioni i individit me fjalë me drejtësinë. Nëse do të merrni nga gjykata letrën që jeni pronarë legjitimë, atëherë do të keni akses në atë fond dhe do të merrni paratë”, tha ai.