Rama – Muratit: Qiti menjëherë 35 milionë eurot e të hyrave vetanake të Prishtinës, çka po fshihesh?
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama iu bashkua punëtorëve të “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë, ku përsëriti se zgjidhja për krizën ekziston, por sipas tij po pengohet nga Ministria e Financave. Ai tha se rreth 35 milionë euro të kryeqytetit po mbahen “jashtëligjshëm” nga ministria, gjë që sipas tij po ndikon drejtpërdrejt në pagesat e punëtorëve dhe funksionimin e shërbimeve publike, raportoi Ekonomia Online.
Rama u bëri Albin Kurtit dhe Hekuran Murati të “reflektojnë” dhe të lënë anash tensionet politike, duke theksuar se pagesa e fondeve do të mundësonte menjëherë funksionalizimin e operatorëve publikë dhe privatë. Ai tha se mungesa e këtyre mjeteve rrezikon shërbimet bazë për qytetarët, përfshirë transportin dhe infrastrukturën komunale.
Kryetari i Prishtinës shtoi se komuna ka dorëzuar kallëzim penal kundër ministrit dhe tre zyrtarëve të tjerë, pasi sipas tij mbajtja e fondeve nuk ka bazë ligjore. Ai kritikoi faktin që Murati nuk pranoi ta takonte në ditën e mëparshme, duke pyetur “çka po fshihet”. Sipas Ramës, fondet ekzistojnë, mungon vetëm vullneti politik për t’i alokuar.
“35 milionë euro që mbahen jashtëligjshëm në Ministrinë e Financave, mundeni me u pagu sot, tash në këtë moment. Nuk ka asgjë që e ndalë pagesën e 35 milionëve tash, menjëherë e që me u pagu operatori publik dhe privatë dhe mos me i lënë këta njerëz në rrugë. Mos me i lënë qytetarët pa shërbime, mos me i lënë shkollat pa rrymë e asnjë qytetarë pa shërbime publike. këtë mundësi e ka ministri i Financave në detyrë dhe prapë refuzon ta bëjë. Dje në konferencë dje hynte në tema të tjera e që nuk kanë të bëjnë me problemin. Problemi është pagesa. Paguaji paratë e kryeqytetit dhe paguhen të gjithë operatorët dhe të gjitha rrogët, këtë mundësi e ka tash, dje dhe me muaj të tërë. I mban paratë jashtëligjshëm. Për këtë arsye kemi bërë edhe kallëzim penal ndaj tij dhe tre zyrtarëve. Çdo temë tjetër është me i qitë hi syve qytetarëve, juve, popullit. Qiti parët ministër, menjëherë. Ne kemi marrë dhe masa tjera, kemi thirrë dhe seancë të jashtëzakonshme për të enjten por edhe fondet prej 28 milionë tjera përveç 35 milionëve që janë bartje prej viteve të kaluar asamblistët që e bllokuan herën e kalume kanë tregu që janë për me votu dhe fondet me u marrë. Fakti është se 35 milionë euro vetanake mbahen në mënyrë jo ligjore nga ministri”, tha Rama.