Rama: Kryeqytetit t’i lëshohen të hyrat vetanake për t’i kryer shërbimet ndaj qytetarëve
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ashpërsuar kritikat ndaj deputetit dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar atë për pengimin e të hyrave vetanake të kryeqytetit. Në një paraqitje në emisionin “Debat Plus”, Rama deklaroi se Ministria e Financave po mbajtë të bllokuara rreth 35 milionë euro, të cilat sipas tij i takojnë ligjërisht Komunës së Prishtinës.
Rama tha se këto fonde janë të domosdoshme për funksionimin normal të shërbimeve publike dhe se bllokimi i tyre po dëmton drejtpërdrejt qytetarët.
“Është pikërisht Hekuran Murati, të cilët i bllokojnë të hyrat vetanake të kryeqytetit, që janë diku rreth 35 milionë. Pra, këto vazhdojnë t’i bllokojnë përkundër faktit që po veprojnë jashtëligjshëm. Këto, në bazë të ligjit, i takojnë kryeqytetit. Duhet me u transferu në xhirollogaritë e kryeqytetit. Duhet me iu leju kryeqytetit që t’i përdorë këto fonde për t’i kryer shërbimet ndaj qytetarëve të kryeqytetit, pra për t’i paguar operatorët publikë e privatë të cilët veprojnë për të mirën e qytetarëve.”– tha Rama ne “Debat Plus”