Rama e demanton Pecin: Dokumentacioni për ndërtesën s’është i kompletuar
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, e ka demantuar ministrin e Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Pecin në lidhje me dokumentacionin për kushtet ndërtimore për ndërtesën e Ministrisë.
Rama ka thënë se dokumentacioni i lëshuar nga minstria s’është i plotë, teksa është habitur se si një ministër po gjen kohë të merret me gjendjen shëndetësore të familjarëve dhe pushimet personale të stafit të Kryeqytetit.
E plotë:
Demant
Përmes këtij reagimi, institucionet e Kryeqytetit përgënjeshtrojnë pretendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vonesat e shkaktuara nga organet e Kryeqytetit për t'u pajisur me kushtet ndërtimore për ndërtesën e Ministrisë.
Më tutje, sqarojmë se dokumentacioni i dorëzuar nga Ministria është i pakompletuar sepse i mungon dokumenti i matjeve gjeodezike, i cili është i domosdoshëm për lëshimin e kushteve ndërtimore.
Përndryshe jemi të habitur me aftësinë dhe kohën që gjen një ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës për t'u marrë me gjendjen shëndetësore të familjarëve dhe pushimet personale të stafit të Kryeqytetit.
I juaji,
Përparim Rama
Kryetar i Kryeqytetit