Rama: Do të propozojmë largimin e pagesës për veturën e parë për banorët rezident të Prishtinës
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se do t`i propozohet Kuvendit Komunës largimi i pagesës për veturën e parë për banorët rezident të kryeqytetit.
Ai ka bërë me dije se kjo është bërë e mundur pasi mundësitë financiare të kompanisë “Prishtina Parking” e lejojnë një gjë të tillë.
Sipas tij, rregullorja tashmë është e gatshme për votim në Kuvend Komunal.
“Sot Prishtina Parking nuk i realizon shërbimet e terrenit përmes nënkontraktorëve të shtrenjtë por me mjete dhe automjete të saja. Me blerjen e automjeteve dhe pajisjeve tjera të terrenit ka arritur që t’i kursej rreth 1 milion euro për periudhën 2023-2025. Këto kursime kanë krijuar mundësinë që së bashku me Sokol Havolli, kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje publike të Kryeqytetit, të i propozojmë Kuvendit Komunal edhe largimin e pagesës për veturën e parë për banorët rezident, sepse mundësitë financiare lejojnë këtë ndryshim dhe nuk cënojnë investimet. Rregullorja tashmë është e gatshme për votim në Kuvend Komunal. Dhe jemi shumë të kënaqur që për një kohë të shkurtë kemi arritur të kthejmë konceptin nga një ndërmarrje e kundërshtuar në një ndërmarrje të kërkuar nga lagjet. Kemi ende punë, përmirësime dhe investime për të realizuar me Prishtina Parking”, ka shkruar Rama në profilin e tij në “Facebook”.