Rama: Do ta fyeja intelegjencën e Albin Kurtit po të mendoja se gjykon si sallahanët e VV-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas debatit të krijuar lidhur me pjesëmarrjen e disa shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë së tij në Tiranë.
Rama theksoi se nuk e konsideron përgjegjës kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për veprimet e individëve që kanë marrë pjesë në këto protesta.
Ai publikoi në Facebook një postim të një gruaje nga Tetova, e cila kritikonte bashkëkombësit e saj për pjesëmarrjen në protestat antiqeveritare në Shqipëri. Në reagimin e tij, Rama u shpreh se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë, por një popull shtetformues në vendin e tyre.
Megjithatë, në pjesën përmbyllëse të postimit, kryeministri shqiptar kërkoi që qëndrimet e disa protestuesve të mos lidhen me emrin e kryeministrit të Kosovës. Ai ka shtuar se do ta fyente intelegjencën e Albin Kurti po të mendonte se gjykon si ata.
“Post Scriptum. Dhe mos të spekullojë askush duke e lidhur këtë shënim me emrin e kryeministrit të Kosovës, sepse kurrësesi nuk mund ta bëj e as ta nënkuptoj në asnjë rrethanë, përgjegjës, për asnjë prej sallahanave të Vetëvendosjes që janë përfshirë në këtë çorbë dreqërish. Nuk e them këtë hiçasfare për një larje protokollare goje, por sepse e di mirë që çdo çadër e gjerë politike mban edhe sallahanat e vet dhe do të fyeja inteligjencën e Albinit po të mendoja se ai gjykon si ata. Kështu që lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, shkroi Rama.