Rama: Deklarata e ministres serbe është alarmuese, duhet të dënohet ashpër
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se deklarata e ministres serbe se do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” është fyerje ndaj qytetarëve të Kosovës dhe legjitimim i krimeve më të rënda.
Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se kjo deklaratë e saj është alarmuese.
“Kjo është fyerje ndaj qytetarëve të Kosovës dhe është relativizim dhe legjitimim i një prej krimeve më të rënda që njeh e drejta ndërkombëtare.
Është alarmuese që, më shumë se dy dekada pas luftës, një anëtare e kabinetit qeveritar të Serbisë flet me këtë gjuhë, për një nga aktet më makabre e kriminale të shekullit të kaluar.
Evropa është ndërtuar mbi refuzimin e ideologjive të spastrimit etnik. Prandaj, çdo heshtje përballë një deklarate të tillë është një precedent i rrezikshëm. Bashkimi Evropian dhe e gjithë bota demokratike duhet ta dënojnë pa ekuivok këtë retorikë!”, ka shkruar ai.
Tutje, Rama ka thënë se kjo deklaratë duhet të dënohet ashpër.
“Po aq e rëndësishme është që institucionet e Republikës së Kosovës të reagojnë me qartësi, dinjitet dhe vendosmëri!
Institucionet janë për të mbrojtur të vërtetën historike, kujtesën e viktimave dhe pozicionin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Përballë një deklarate që justifikon spastrimin etnik, reagimi institucional nuk është zgjedhje politike është përgjegjësi shtetërore.
Kosova fatkeqësisht e njeh çmimin e kësaj gjuhe. E ka paguar me jetë njerëzish dhe me qindra mijëra qytetarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre. Pikërisht për këtë arsye, askush nuk duhet ta trajtojë këtë deklaratë si një incident kalimtar. Ajo duhet të dënohet ashpër, qartë dhe asesi nuk guxon të kaloj në heshtje!”, ka shkruar ai.