Rafuna i Odës Ekonomike: Deklaratat për luftë në kundërshtim me përpjekjet tona për tërheqjen e investimeve - NACIONALE

Rafuna i Odës Ekonomike: Deklaratat për luftë në kundërshtim me përpjekjet tona për tërheqjen e investimeve

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Komuniteti i biznesit në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës heqjen e barrierave për investitorët e huaj dhe krijimin e një klime të favorshme për investime të huaja direkte.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka thënë për KosovaPress, se është e domosdoshme thjeshtësimi ose eliminimi i burokracive për firmat e huaja, për të mos pritur siç thotë një investitorë potencial me muaj të tërë për të investuar në Kosovë.

“Ne ndaj Qeverisë së Kosovës do të jemi shumë kërkues në kuptimin pozitiv për ndryshimin e ligjeve, si dhe për eliminimin e barrierave të cilat i paraqiten bizneseve të huaja. Duhet me thyer një far mentaliteti te zyrtarët e institucioneve të ndryshme që janë në shtet, që ata me kuptua se investitori është prioritet”, theksoi Rafuna.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se përveç sigurisë juridike edhe siguria fizike është me rëndësi për tërheqje të investimeve të huaja.

Zeka shtoj se deklaratat e Kurtit, për tension të mundshëm në pjesën veriore, natyrisht që janë në kundërshtim me përpjekjet edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës

“Deklaratat për eskalim të situatës dhe për ndonjë tension të mundshëm apo konflikt të mundshëm në pjesën veriore, natyrisht që janë në kundërshtim me përpjekjet edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, edhe të ne si asociacione të biznesit për tërheqje të investimeve të jashtme edhe për nxitje të investimeve brendshme. Përveç sigurisë juridike edhe siguria fizike është me rëndësi për operacione normale të biznesit dhe për tërheqje të investimeve të huaja”, thotë Zeka.

Ndryshe, sipas një raporti të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës(BQK), në pesë mujorin parë të këtij viti janë shënuar rreth 240 milionë euro investime direkte në Kosovë, ndërsa në vitin 2021 shifrat totale ishin 421 milionë euro. Derisa në periudhën 5 mujore të vitit 2021 kanë qenë rreth 200 milionë euro.

Lajme të ngjashme