Qorrolli thotë se një ditë Serbia do të paditet për krime të luftës, përmend vështirësitë procedurale
Vigan Qorrolli, zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë, ka folur rreth përgatitjes së padisë për gjenocid kundër Serbisë për krime të luftës gjatë viteve 1998-1999.
Në një prononcim për Ekonomia Online, ai foli edhe për Institutin për dokumentimin e krimeve të luftës, duke thënë se çdo ditë punohet për dokumentimin e krimeve të luftës.
Ai tha se një ditë kjo do të çojë në paraqitjen e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
“Por për momentin që nuk jemi palë e statutit të GJND-së kjo është një çështje ende e parakohshme, por sigurisht që padia, komisionet, Ministria e Drejtësisë, Instituti për krime luftës, Zyra e kryeministrit mbledhin materiale dhe çdo ditë punohet që të bëhet dokumentim sa më i mirë i krimeve të luftës dhe kjo do të çojë një ditë sigurisht në paraqitjen e padisë në GjND” – tha ai.