Qipro konfirmon mbështetjen për viza, kërkon shtim të bashkëpunimit me Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Qipros, Ioannis Kasoulides, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kasoulides ka theksuar se Qipro dëshiron të shtojë komunikimin dhe bashkëpunimin me Kosovën.
Ai ka konfirmuar mbështetjen e Qipros për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Kryeministri theksoi potencialin për lëvizje pozitive në raportet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Qipros. Ai potencoi se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dëshmuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ai i bëri ftesë Ministrit Kasoulides për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, për të parë personalisht zhvillimet pozitive në vend”, është thënë në komunikatën e Qeverisë.
Takimi është realizuar në kuadër të pjesëmarrjes së Kryeministrit Kurti, në Tryezën e Rrumbullakët organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian. Gjatë qëndrimit të tij atje, kryeministri po zhvillon takime zyrtare me përfaqësues të ndryshëm.