Qeveria ndan 19 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike - NACIONALE

Qeveria ndan 19 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen 97 të saj, e mbajtur në mënyrë elektronike, në të cilën ka aprovuar gjashtë vendime.

Në këtë mbledhje është miratuar vendimi për ndarje të mjeteve buxhetore në vlerë prej 19 milionë eurove, lidhur me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, në kuadër të masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike. Mjetet e ndara do të përdoren për subvencionimin e energjisë elektrike për konsumatorët fundorë, me qëllim të uljes së ndikimit të tarifave të energjisë, e cila do të reflektohet në faturat e konsumatorëve. Po ashtu, në kuadër të masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, janë ndarë 6 milionë euro, me qëllim subvencionimin e zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë.

Qeveria ka njoftuar se ka miratuar edhe vendimin për ndalimin e eksportit dhe ri-eksportit të produkteve të drurit si lëndë djegëse. Ky ndalim është i përkohshëm dhe në përputhje me Tarifën e Integruar të Kosovës (TARIK) të vitit 2022.

Gjithashtu u aprovua edhe vendimi për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për muajin shtator 2022, në kuadër të zbatimit të masës 3.2- Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Me vendim të Qeverisë, janë shpallur me interes të veçantë publik pronat e paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve infrastrukturore për interes publik” në zonat kadastrale: Bërnjak dhe Jasenovik i Epërm në Komunën e Zubin Potokut.

Po ashtu, është miratuar plotësimi i vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.01/85 të datës 29 qershor 2022, lidhur me afatin e regjistrimit të automjeteve me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, që do të vazhdojë deri më 31 tetor 2022.

Mes disa vendimeve të aprovuara në mbledhjen e 97-të të Qeverisë: Ndamë 19 milionë euro për subvencionimin e energjisë...

Posted by Albin Kurti on Tuesday, September 20, 2022

Lajme të ngjashme