Qeveria me komunikatë për takimin Hovenier – Bislimi: E informoi ambasadorin për takimin në Bruksel - NACIONALE

Qeveria me komunikatë për takimin Hovenier – Bislimi: E informoi ambasadorin për takimin në Bruksel

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë në lidhje me takimin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe ambasadorit amerikan Jeff Hovenier.

Sipas kësaj komunikate, Bislimi e ka informuar ambasadorin për atë se çka foli me Petkoviqin e Lajçakun ditë më parë në Bruksel.

Sipas Zërës së Kryeministrit, sa i përket çështjes së rregullores së BQK-së, zv.kryeministri e ka informuar ambasadorin se në Bruksel u bisedua për mënyrën e implementimit të saj.

E plotë:

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim gjatë ditës së sotme ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Në takim u bisedua rreth diskutimit të djeshëm të mbajtur në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.

Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin Hovenier mbi atë se çfarë u trajtua në këtë takim, fokus i së cilës ishte Marrëveshja Bazike dhe Aneksi Implementues i Ohrit dhe formalizimi sa më i hershëm.

Ai shtoi se për ne marrëveshja është valide në tërësinë e saj, gjë të cilën ambasadori Hovenier e konfirmoi nga pozicioni i tij. Njëkohësisht, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin se delegacioni i palës tjetër, ritheksuan gjatë takimeve të djeshme qëndrimin e Serbisë kundër zbatimit të marrëveshjes dhe rrjedhimisht edhe formalizimit të saj.

Sa i përket rregullores së BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ambasadorin që diskutimi nuk është zhvilluar rreth dinarit apo rregullores, e cila nuk është çështje për diskutim apo kontestim, por rreth mënyrës së zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

U trajtuan edhe një sërë temash të tjera që janë diskutuar gjatë takimit të djeshëm, duke përfshirë artefaktet që Serbia duhet t’i kthejë Kosovës, si dhe shkeljet që po i bëjnë në disa marrëveshje si ajo e energjisë dhe telekomunikacionit, apo në rastin e tentimeve të vazhdueshme të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, për çka ambasadori Hovenier shprehu qëndrimin e SHBA-së kundër tentativave të tilla.

Lajme të ngjashme