Qeveria liston pesë ngjarjet kryesore, nuk përmendet vendimi i ri për targat
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka shpërndarë pesë ngjarjet kryesore të javës së kaluar.
Kryeziu ka shpalosur këto pesë ngjarje si suksese të qeverisë vetëm brenda një javë.
Në këtë listë nuk përmendet vendimi i ri për targat.
Shkrimi i plotë i tij:
Pesë nga ngjarjet kryesore të javës që lëmë pas:
Kosova u rendit e para në Ballkanin Perëndimor për sundim të ligjit kurse e dyta në botë për nga përmirësimi i arritur brenda vitit 2022, sipas Ëorld Justice Project. Sivjet shënuam vlerën më të lartë ndonjëherë në indeksin e këtij raporti.
U miratua në Qeveri projektbuxheti për vitin 2023. Në vlerë prej 3.2 miliardë euro, buxheti për vitin e ardhshëm do të vazhdojë mbështetjen për arsim, shëndetësi, bujqësi e siguri
Kuvendi miratoi Strategjinë e Sigurisë së Kosovës 2022-2027. I dyti që nga shpallja e pavarësisë, ky dokument identifikon rreziqet, kërcënimet, sfidat për sigurinë e vendit por edhe mundësitë, objektivat strategjike dhe vizionin për të ardhmen.
U nënshkrua marrëveshja me Malin e Zi për ndërtimin e rrugës Pejë-Rozhajë dhe rrugës Deçan-Plavë. Krahas rëndësisë ekonomike, këto dy projekte lidhin vendet e banuara shqiptare në dy anën e kufirit.
U nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar për vazhdimin e përkrahjes financiare në mbrojtje dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve, kultivimin e gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
