Qeveria i 'lehtëson pak' masat e sigurisë për mallrat serbe - NACIONALE

Qeveria i 'lehtëson pak' masat e sigurisë për mallrat serbe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Republikës së Kosovës duket se ka vendosur që të ndryshojë masat e sigurisë në kufirin me Serbinë.

Nacionale ka marrë vesh se një urdhër i është drejtuar autoriteteve që të lejojnë tash e tutje kalimin e automjeteve transportuese të mallrave me targa të Serbisë, por të cilat nuk kanë produkte serbe.

“Urdhëroheni që të njoftoni të gjitha PKK-të se nga tani lejohen të hyjnë në Republikën e Kosovës automjete transportuese të mallrave me targa të Serbisë, e të cilat bartin mallra nga vende tjera, kjo nuk vlen për automjetet transportuese të cilat bartin mallra të Serbisë pa marrë parasysh çfarë targash posedon automjeti.”thuhet në një dokument që e ka parë gazeta.

Tutje tregohet edhe se lejohet hyrja e produkteve medicinale, “edhe të prodhuara në Serbi” por përmes lejes që merret nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në Republikën e Kosovës.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti kishte folur në lidhje me këto masa, duke treguar se ato nuk ishin ekonomike por vetëm të sigurisë.

E gjithë kjo ndodhi pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë në kufi me Serbinë nga xhandarmëria e Serbisë më 14 qershor.

Lajme të ngjashme