Qeveria ende s’ua ka bartur kredinë për paga RTK-së, Sindikata: “Vonesa ka dëmtuar rëndë punëtorët” - NACIONALE

Qeveria ende s’ua ka bartur kredinë për paga RTK-së, Sindikata: “Vonesa ka dëmtuar rëndë punëtorët”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së u ka bërë thirrje Qeverisë në detyrë të Kosovës që sa më parë të procedojnë paratë e kredisë për pagat e punëtorëve të RTK-së.

SPERTK shkroi se vonesa e pagave “i ka dëmtuar rëndë punëtorët e RTK-së”.

“Kjo situatë është e papranueshme”, thanë nga sindikata.

Komunikata e plotë:

KËRKESE ZYRTARE

drejtuar:

• Menaxhmentit të RTK-së

• Qeverisë së Republikës së Kosovës

• Ministrisë së Financave

Të nderuar,

Jemi të detyruar t’ju drejtohemi me këtë kërkesë lidhur me procesin e transferimit të pagave për punëtorët e RTK-së.

Siç dihet, të premten e kaluar është marrë vendimi në parim për buxhetin e RTK-së. Megjithatë, deri më sot – dita e 19 pa paga – të gjithë punëtorët e RTK-së vazhdojnë të jenë pa pagën e tyre mujore, për të cilën kanë punuar.

Kërkojmë të informohemi qartë deri ku ka shkuar procesi i transferimit të pagave dhe sa kohë do të zgjasë kjo procedurë.

Ju bëjmë thirrje që ta përshpejtoni këtë proces, pasi vonesa ka dëmtuar rëndë punëtorët e RTK-së dhe vetë institucionin tonë. Punëtorët presin me të drejtë pagën për punën që e kanë kryer, dhe kjo situatë është e papranueshme.

Prandaj, presim përgjigje të qartë dhe shpërndarje të menjëhershme të pagave për punëtorët e RTK-së.Në të kundërt, do të jemi të detyruar t’i kthehemi formave ligjore që na i lejon ligji për organizimin sindikal.

Ju rikujtojmë se protesta e paralajmëruar u anulua në shenjë mirëbesimi dhe për të dëshmuar se nuk kemi asnjë interes tjetër përveç mbrojtjes së RTK-së dhe punëtorëve të saj.

Presim përgjigje konkrete nga të gjithë akterët institucionalë më së voni deri të premten.

Nëse deri të premten nuk bëhet shpërndarja e pagave, protesta dhe format e bojkotit të lejuara me ligj do të fillojnë të hënën në orën 09:30.

Me respekt,

Kryesia e SPERTK-së

Lajme të ngjashme