Qeveria e tij përçmonte sanksionet e BE-së, sot Kurti e quan donatorin më të madh të zhvillimit dhe ndërtimit të Kosovës
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa. Pas takimit me të, ai e ka quajtur Bashkimin Evropian si donatorin më të madh për zvhillimin dhe ndërtimin e Kosovës. Ndërkohë që qeveria e tij për më shumë se dy vite e gjysmë ishte nën sanksione nga BE, duke u limituar e ngrirë fondet, e në atë kohë arsyetimi i qeverisë së tij ishte përçmues për ato fonde.
“Buxheti jonë është substancial dhe fondet e BE-së nuk shkaktojnë asnjë telashe” – pati komentuar situaten atëbotë zv. Kryeministri Besnik Bislimi.
Çka tha sot Kurti?
Në takim me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, shpreha falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian, si donatori më i madh për zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës.
Republika jonë ka shënuar përparim të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është përcaktim i yni, për të cilin jemi të angazhuar dhe të përkushtuar me tërë dijen e mundin. Ecjes sonë të palëkundur e të pakusht drejt saj, BE-ja duhet t’i përgjigjet me dhënien e statusit të shtetit kandidat dhe hapjen e negociatave.