Qeveria e Sllovakisë e propozon ndalimin e rrjeteve sociale për të rinjtë nën 16 vjeç
Qeveria e Sllovakisë të mërkurën miratoi një projektligj me të cilin propozohet ndalimi i përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16-vjeçare, duke thënë se ky legjislacion do të ndihmojë në parandalimin e sjelljeve të varësisë, presionit social dhe radikalizimit.
Projektligji, nëse miratohet në Kuvend, do ta ndalojë hapjen e llogarive në rrjete sociale për fëmijë dhe do ta kërkojë dëshminë për moshën e përdoruesit, sipas dokumenteve në publikuara në uebfaqen qeveritare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një raport që e shoqëron legjislacionin e propozuar thuhet: “Propozimi është reagim ndaj rëndësisë në rritje të teknologjive online dhe rrjeteve sociale në përhapjen e sjelljeve të dhunshme, ekstremiste ose të dëmshme në mënyra të tjera.”
Më tej, në raport thuhet se vendimi për ta caktuar ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale deri në moshën 16-vjeçare është i mbështetur në të gjeturat në fushat e psikologjisë, neuroshkencës dhe hulumtimeve ndërkombëtare, të cilat e shfaqin adoleshencën si fazë të zhvillimit të identitetit, të menduarit kritik, rregullimit emocional dhe marrëdhënieve sociale.
Një numër në rritje i shteteve evropiane kanë njoftuar masa për ta rregulluar moshën e përdorimit të rrjeteve sociale, përderisa disa kërkojnë edhe miratim nga prindërit.