Qeveria e Kosovës: S'ka paga për grevistët
Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do t’i ekzekutojë pagat e muajit shtator për grevistët, ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ai shtoi se pagat në sektorin publik tashmë janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë, dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë që iu takojnë.
“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në ligjin për Greva,” - tha Kryeziu.
Sipas partive opozitare, Qeveria po bën edhe shkelje të ligjit me këtë veprim pasi punëdhënës të mësimdhënësve janë komunat përkatëse dhe jo niveli qendror.
Ky veprim i Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojë një tjetër përshkallëzim të situatës në taborrin e sindikalistëve që potencialisht mund të ndërmarrin veprime të reja sindikale.
