Qesharake: Përmes Navalnyt, Trumpi e krahason diktaturën e Rusisë me drejtësinë në ShBA
Donald Trump, i cili gjatë kohës si president i ShBA-së kishte nxitur kritike për lëvdatat që ia jepte presidentit rus, Vladimir Putin, të hënën i bëri komentet e para publike për vdekjen e opozitarit rus, Alexei Navalny, në një shkrim në të cilin nuk fajësohet Putini, por aludohet te sfidat ligjore të miliarderit amerikan.
“Vdekja e papritur e Alexei Navalny-t më ka bërë mua gjithnjë më të vetëdijshëm për atë që është duke ndodhur në Vendin tonë” – shkroi në rrjetin “Truth” favoriti për nominimin e Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të këtij viti në ShBA, mësa duket duke e lidhur vdekjen e opozitarit rus me vështirësitë e tij me sistemin e drejtësisë, raporton agjencia “Reuters”.
“Është një ecje përpara e ngadalshme, e qëndrueshme, me Politikanë të së Majtës Radikale, Prokurorë, dhe Gjykatës TË KËRRUSUR, duke na çuar rrugës drejt shkatërrimit. Kufij të Hapur, Zgjedhje të Montuara, dhe Vendime Gjykatash Shumë të Padrejta po e SHKATËRROJNË AMERIKËN. JEMI VEND NË RËNIE, VEND QË PO DËSHTON! MAGA2024” – shtoi ish-presidenti Trump.
Nuk qe e qartë se çfarë ngjashmëri po mundohej të bënte Trumpi me figurën më të njohur opozitare në Rusi. Navalny, 47 vjeç, me vite kishte luftuar kundër atij që e quante korrupsion të gjerë në Rusinë e Putinit, të udhëhequr nga “mashtrues e hajdutë”.
Zyrtarët e fushatës së Trumpit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për sqarim.
Presidenti amerikan, Joe Biden, të premten drejtpërdrejt e fajësoi Putinin për vdekjen e Navalnyt në një burg në veri të Rusisë. “Putini është përgjegjës për vdekjen e Navalnyt” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.