Qesharake: 2 minuta e 4 sekonda kronikë në RTK për reagimin e Blerim Haxhiajt
Dy minuta e katër sekonda kohë televizive në lajme qendrore i ka dhënë Radiotelevzioni i Kosovës reagimit të gazetarit Blerim Haxhiaj, pas publikimit të shumave të parave që ka marrë nga Qeveria e Kosovës.
Shkrimin e tij ku ai sulmoi ulët mediat e gazetarët, duke i quajtur edhe mercenarë, RTK e ka transmetuar për mbi dy minuta.
Kjo mund të shihet edhe në videon më poshtë.
Ndonëse e ka pranuar se OJQ-ja e bashkëshortes së tij ka marrë mjete prej ministrive të ndryshme, ai ka thënë OJQ-ja në fjalë ekziston prej vitesh.
“Një bashibozuk i gazetarisë dje bëri shpifjen e radhës dhe bashibozukët e tjerë e përhapën gënjeshtrën si zakonisht në mënyrë të koordinuar. Këta mercenarë të gazetarisë shpifën se paskam përfituar nga qeveria 100 mijë euro, duke iu referuar një thirrjeje publike të MKRS-së për skenën e pavarur kulturore kosovare. OJQ Cult Club, që përflitet nga shpifësit, po bën gati dy dekada të veprimtarisë së saj, me projekte të realizuara me sukses. Në vitin 2006 unë kam qenë njëri nga themeluesit dhe kjo është pjesë e historikut të organizatës, e cila i ka strukturat e veta drejtuese dhe drejtoreshën, Elmaze Nura, bashkëshortja ime, e cila është ndër regjisoret më të sukseshme të teatrit, ish-drejtoreshë e Teatrit Kombëtar, doktore e shkencave dhe profesoreshë universitare në Fakultetin e Arteve. Cult Club ka kontribuar në skenën kulturore të vendit dhe shumë artistë, të rinj, nxënës, kanë përfituar në projektet e realizuara ndër vite, në qeveri të ndryshme si dhe me Programin Vjetor të organizatës” – thuhet në reagimin e tij.