Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Pacolli
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias ka shprehur shqetësim të thellë në lidhje me sulmin fizik ndaj gazetarit kosovar, Burim Pacolli. Në reagim, institucioneve të drejtësisë iu është bërë thirrje për sjellje të autorëve para drejtësisë.
"Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për sulmin fizik ndaj gazetarit kosovar Burim Pacolli. Pacolli u sulmua pas publikimit të një recensioni dhe komenti online mbi këngët e një këngëtari si pjesë e blogut të tij gazetaresk. Pacolli, i cili punon për median online Nacionale.com, u sulmua sot rreth orës 15:30 nga disa persona. Ai e ka raportuar rastin në polici. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që ta hetojnë incidentin në mënyrë të thellë dhe t'i sjellin përgjegjësit para drejtësisë."
Reperi “Mossi”, Gramos Krasniqi, dhe disa persona të tjerë e sulmuan fizikisht gazetarin Pacollin. Kjo për arsye të analizave dhe recesioneve muzikore të Pacollit për pesë “freestyle-at më të fortë të Meriton Mjekiqit.”
Në analizën e Pacollit “freestyle”-at e renditur ishin dy “diss”-at e reperit Betim Januzi “Buta” ndaj Mossi-t. Pacolli u sulmua fizikisht te rrethi i “Interex”-it në Prishtinë derisa po kryente shërbimet personale bankare.