Putini thotë se dëshira e Perëndimit për mbizotërim global e rrit rrezikun për konflikt - NACIONALE

Putini thotë se dëshira e Perëndimit për mbizotërim global e rrit rrezikun për konflikt

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten se dëshira e Perëndimit për ta mbajtur mbizotërimin e vet në skenën botërore, është duke i rritur rreziqet për konflikt.

“Potenciali për konflikt në botë është duke u rritur dhe kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e përpjekjeve nga elitat perëndimore për ta ruajtur mbizotërimin e tyre politik, financiar, ushtarak e ideologjik me çfarëdo mjeti”- tha presidenti rus.

Ai foli përmes një video-mesazhi për një samit të ministrave të Mbrojtjes nga Organizata e Shangait për Bashkëpunim dhe një grup të shteteve ish-sovjetike. Mesazhi u publikua nga Kremlini, raporton agjencia “Reuters”.

“Ata qëllimisht e shumëzojnë kaosin dhe e rëndojnë situatën ndërkombëtare”- shtoi presidenti rus.

Putini, gjithashtu, e akuzoi Perëndimin për “shfrytëzimin” e Ukrainës dhe përdorimin e popullit të saj si “mish për top” në konfliktin kundër Rusisë.

Udhëheqësi rus vazhdimisht e ka paraqitur luftën në Ukrainë si konflikt mes Rusisë dhe Perëndimit, duke i kritikuar vendet që i kanë ofruar përkrahje ushtarake e financiare Ukrainës.

Lajme të ngjashme