Putini me pretendim të madh: Rusia është ekonomia më e madhe në Evropë
Presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi të enjten gjatë fjalimit të tij vjetor se “Rusia sot është ekonomia më e madhe në Evropë në GDP (prodhimi vendës bruto) dhe e pesta në botë”.
Siç pritej, kjo deklaratë mori duartrokitje të fuqishme nga zyrtarët që po e përcjellin fjalimin e Putinit në sallë, raporton televizioni BBC.
Gjithnjë është vështirë që të vërtetohen të dhënat ekonomike të Rusisë, por duket se ekonomia ia ka dalë mirë rishtazi, thekson televizioni britanik.
Megjithatë, BBC-ja shkruan se nuk mund ta vërtetojë menjëherë pretendimin e Putinit, por se televizioni është duke punuar për t’i siguruar faktet.
Ndër të tjera, Putini foli edhe për arsimin. Ai pranoi se objektet arsimore janë të kufizuara, sidomos në qytete, dhe premtoi se do të ndërtohen 150 shkolla shtesë e 100 çerdhe.
Ai i falënderoi mësuesit rusë për punën që e kanë bërë dhe propozoi që nga 1 shtatori, ata të marrin nga 500 mijë rubla shtesë në vit (rreth pesë mijë euro).