Putini mban fjalim pas pak: Pse dhe çfarë pritet të thotë?
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do ta mbajë të enjten fjalimin e tij vjetor për gjendjen e vendit.
Fjalimi presidencial është ditë e madhe në kalendarin kombëtar të Rusisë, jo më pak pse është detyrim kushtetues, raporton televizioni BBC.
Neni 84 i Kushtetutës së Rusisë thotë se presidenti duhet “t’i drejtohet Asamblesë Federale me porosi vjetore për situatën në vend, mbi udhëzimet e politikës së brendshme dhe të jashtme të Shtetit”.
Të enjten, Putini do t’u drejtohet të dyja dhomave të Kuvendit të Rusisë – Dumës Shtetërore dhe Këshillit Federal.
Sipas mediave ruse, presidenti do të flasë për luftën në Ukrainë, masat shtesë për stabilizimin e ekonomisë dhe politikat e reja sociale për mbështetjen e familjeve.
Fjalimi i tij vitin e kaluar ishte i përqendruar kryesisht mbi Ukrainën, ndërsa BBC-ja pret tone më të theksuara për çështje të brendshme në fjalimin e këtij viti për shkak të zgjedhjeve presidenciale.
Të shtunën e kaluar u bënë dy vjet nga hyrja e trupave ruse në Ukrainë, veprim që Putini e ka përshkruar si “operacion special ushtarak”.