Putini i nënshkruan dekretet për aneksimin e katër rajoneve ukrainase në Rusi
Presidenti rus, Vladimir Putin, sapo i nënshkroi dekretet për aneksimin në Rusi të katër rajoneve ukrainase – Kherson, Zaporizhia, Donetsk dhe Luhansk.
Gjatë fjalimit të mbajtur pak më parë, ai i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se janë përgjegjëse për krijimin e precedentit duke i përdorur armët bërthamore.
Udhëheqësi rus i akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre për zhvillimin e një lufte hibride kundër Rusisë dhe aadministratave separatiste që Moska i përkrah në Ukrainë.
Sipas tij, Perëndimi nuk ka të drejtë morale që të flasë për demokracinë, duke shtuar se ka bazë për të besuar se shtetet perëndimore nuk janë duke kërkuar rrugëdalje për krizën botërore të ushqimit.
Ai gjithashtu tha se bota është dëshmitare e “satanizmit të dukshëm” në Perëndim dhe e pyeti audiencën nëse ata vërtet duan që fëmijëve të tyre t’u ofrohen operacione për ndryshimin e gjinisë.
Kryeministri rus shtoi populli i rajoneve ukrainase që ai po planifikon t’i aneksojë, e ka marrë vendimin.
“Rezultatet janë të njohura, mirë të njohura. Populli e bëri zgjedhjen e vet – zgjedhjen e vetme”, tha presidenti rus.
“Jam i sigurt se Asambleja Federale do t’i përkrahë katër rajonet e reja të Rusisë, katër subjekte të reja të Federatës Ruse... sepse ky është vullneti i miliona njerëzve”, tha presidenti rus, i shoqëruar nga duartrokitje të shumta.
Ai pretendoi se shumë gjenerata të rusëve kanë luftuar për ato toka dhe se rezultatet e të ashtuquajturave referendume ishin “e drejtë natyrale” e atyre që kanë votuar.