Putini e fut hundën në raportet ShBA – Kinë: Taksat amerikane, konkurrencë e padrejtë
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten gjatë një vizite në Kinë se taksat e Shteteve të bashkuara ndaj automjeteve elektrike kineze janë shembull i konkurrencës së padrejtë.
“Fatkeqësisht, mënyra se si bota funksionon sot, nganjëherë situatat formohen në lidhje me konkurrencën e padrejtë. Kështu amerikanët rishtazi i vendosën sanksione Kinës për transportin elektrik, për vetura elektrike. Pse? Sepse veturat kineze janë bërë më të mira” – tha kreu i Kremlinit, raporton agjencia “Reuters”.
Putini ndodhet në Kinë për një vizitë të planifikuar për t’i thelluar më tej marrëdhëniet mes dy rivaleve më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara.
Uashingtoni këtë javë i rriti taksat dhe i çoi në 18 miliardë dollarë ndaj prodhimeve kineze, përfshirë automjetet elektrike, bateritë, gjysmëpërçuesit, çelikun, aluminin, mineralet kritike, celulat solare, vinçat nga anija në breg si dhe prodhimet mjekësore, si dhe i mbajti në fuqi taksat e periudhës së ish-presidentit Donald Trump ndaj mallrave me vlerë të më shumë se 300 miliardë dollarëve.