Putini e çmon Korenë Veriore për "mbështetjen e vendosur" të luftës në Ukrainë
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka vlerësuar lart Korenë Veriore për mbështetjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, përderisa ai pritet të udhëtojë në Penjan për të kërkuar përkrahje të vazhdueshme ushtarake nga njëri prej shteteve më të izoluara në botë.
Në vizitën e tij të parë në Kore Veriore që nga viti 2000, kreu i Kremlinit do të takohet me udhëheqësin e këtij shteti, Kim Jong Un, për bisedime në katër sy në Penjan, përderisa dy liderët zotohen për ta zgjeruar bashkëpunimin në siguri dhe ekonomi, duke i sfiduar sanksionet perëndimore kundër të dyja shteteve, raporton gazeta “The Guardian”.
Putini pritet të arrijë në Kore Veriore të martën vonë, raportoi agjencia AFP, me një grup të madh ministrash e këshilltarësh, përfshirë ata që janë përgjegjës për ushtrinë ruse dhe për blerjen e armëve. Në udhëtim me presidentin rus do të jenë edhe ministri i ri i Mbrojtjes, Andrey Belousov, dhe zëvendëskryeministri i Parë, Denis Manturov, i cili e mbikëqyr sektorin e mbrojtjes.
Në një artikull të shkruar për Agjencinë Qendrore të Lajmeve të Koresë të martën, Putini e çmoi Korenë Veriore për “mbështetjen e vendosur” të luftës së Moskës në Ukrainë, duke thënë se ai planifikon që t’i ngrejë marrëdhëniet me Penjanin në një nivel më të lartë.
“Programi është shumë i mbushur. Një sasi e konsiderueshme e kohës do t’u kushtohet kontakteve joformale mes dy udhëheqësve, pasi këto bisedime... do t’i përmbajnë çështjet më të rëndësishme dhe më të ndjeshme” – tha ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov.