Putini arrin për vizitë në Kinë, vetëm katër ditë pasi atje ishte Trumpi
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka arritur në Pekin për një vizitë shtetërore, katër ditë pasi nga kryeqyteti kinez u largua homologu i tij amerikan, Donald Trump.
Vizita e presidentit rus në Kinë, e 25-ta me radhë, sipas mediave shtetërore kineze, e pasqyron vetëbesimin në rritje të Pekinit në skenën botërore si qendër e aktiviteteve diplomatike globale, transmeton gazeta “The Guardian”.
Ajo gjithashtu e nënvizon marrëdhënien e thellë mes Putinit dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping. Dy udhëheqësit janë takuar më shumë se 40 herë, shumë më shumë se takimet e presidentit kinez me ndonjë udhëheqës perëndimor.
Putini publikoi një video-adresim kushtuar Kinës në prag të vizitës. Ai tha se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë arritur një “nivel të pashembullt”, duke i përmendur shtimin e tregtisë dhe politikat e përbashkëta për udhëtim pa viza për qytetarët e dy vendeve.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, të martën tha: “Miqësia mes Kinës dhe Rusisë do të thellohet tutje dhe do të jetë më thellë e rrënjosur në zemrat e njerëzve” nga udhëheqja strategjike nga Putini dhe Xi.
Këtë vit shënohet 30-vjetori i nënshkrimit të një marrëveshjeje për bashkëpunim strategjik mes Rusisë e Kinës dhe 25-vjetori i nënshkrimit të “traktatit të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit miqësor”.