Pushteti në Gjermani deklarohet rreth zgjedhjeve të parakohshme pas humbjes së rëndë në BE - NACIONALE

Pushteti në Gjermani deklarohet rreth zgjedhjeve të parakohshme pas humbjes së rëndë në BE

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjermania nuk do ta ndjekë shembullin e Francës për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, pavarësisht nga rezultati i dobët i koalicionit qeverisës në zgjedhjet e BE-së, tha të hënën një zëdhënës i kancelarit Olaf Scholz.

“Data e zgjedhjeve të rregullta është në vjeshtën e ardhshme dhe kjo është ajo që ne planifikojmë ta bëjmë” – tha Steffen Hebestreit në një konferencë qeveritare për gazetarë, raporton agjencia AFP, përcjell gazeta “The Guardian”.

Koalicioni i kancelarit Scholz pësoi humbje të rëndë në zgjedhjet evropiane. Të tria partitë në koalicionin e tij dolën pas konservatorëve dhe të djathtës ekstreme, sipas rezultateve preliminare.

Socialdemokratët e Scholzit e shënuan rezultatin më të keq në histori me vetëm 14 për qind të votave, duke dalë në vend të tretë, prapa partisë së të djathtës ekstreme, AfD, e cila mori rreth 16 për qind të votave, dhe shumë prapa bllokut konservator CDU – CSU, që siguroi rreth 30 për qind.

Të Gjelbrit morën vetëm 12 për qind, ndërsa FDP-ja liberale jo më shumë se 5 për qind.

Ky rezultat nxiti thirrje nga partitë opozitare që kancelari ta ndiqte shembullin e presidentit francez, Emmanuel Macron, për të shpallur zgjedhje të parakohshme kombëtare.

Lajme të ngjashme