Punime në rrugën “Agim Ramadani”, ky segment do të jetë i mbyllur për 48 orë
Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se një segment i rrugës “Agim Ramadani” do të jetë i mbyllur përkohësisht.
Arsyeja e mbylljes janë punimet në këtë segment rrugor, që shtrihet nga semaforët te Menza e Studentëve deri te kryqëzimi te semaforët e Ministrisë së Arsimit.
“Ju njoftojmë se, për shkak të punimeve që do të zhvillohen nga Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, do të ketë mbyllje të përkohshme të një segmenti të rrugës ‘Agim Ramadani’, nga semaforët te Menza e Studentëve deri te kryqëzimi te semaforët e Ministrisë së Arsimit”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Ky segment rrugor do të jetë i mbyllur për dy ditë, nga data 18.07.2026, ora 20:00, deri më 20.07.2026, ora 20:00.
“Gjatë kësaj periudhe, ju lutemi të përdorni rrugë alternative dhe të respektoni sinjalizimin e përkohshëm të trafikut”, thuhet në njoftim.