Publikohet në gazetën zyrtare të BE-së rregullorja për lëvizjen e lirë të kosovarëve - NACIONALE

Publikohet në gazetën zyrtare të BE-së rregullorja për lëvizjen e lirë të kosovarëve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian sot e ka publikuar në gazetën zyrtare Rregullorja 2023/850, e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovën.

Drejtori i institut EPIK, Demush Shasha, ka bërë me dije se kjo rregullore do të hynë në fuqi me 15 maj 2023.

Sipas tij, tani institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në fushata të informimit për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve që burojnë nga procesi i lëvizjes së lirë.

Sapo u publikua në gazetën zyrtare të BE-së Rregullorja 2023/850 e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas nenit 2 të Rregullores ajo hyn në fuqi me 15 maj 2023. Kjo do të lejoj mjaftueshëm kohë institucioneve të Kosovës të ndërmarrin fushatat e nevojshme të informimit për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve që burojnë nga lëvizja e lirë në Zonën Shengen, por edhe do jap mjaftueshëm kohë autoriteteve kufitare të vendeve të BE-së të përgatiten për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës nga 1 janar 2024”, ka shkruar Shasha në profilin e tij në “Facebook”.

Qysh erdhëm deri këtu?

Javën e kaluar Parlamenti Evropian ka miratuar vendimin për liberalizim të vizave për kosovarët. Një ditë me pasë, ky vendim është nënshkruar në një ceremoni zyrtare.

Kosova kishte filluar dialogun me BE-në për liberalizimin e vizave në vitin 2012.

Procesi për të ardhë deri te ky vendim, për Kosovën zgjati më së shumti, dyfish më shumë se sa për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, plot 12 vjet.

Kosova kishte plotësuar mbi 90 kritere deri në vitin 2016, por pikërisht në këtë vit, u njoh me dy të reja – Demarkacionin dhe luftimin e korrupsionit.

Në vitin 2018, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, por megjithatë, u deshën edhe katër vite të tjera për të ardhë deri te një vendim pozitiv nga të institucionet e BE-së.

Më 30 nëntor, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pas kësaj, negociatat filluan menjëherë.

Më 12 dhjetor të vitit 2022 u mbajt një takim teknik, ndërkaq dy ditë më vonë, trilogu politik u mblodh në Strasburg. Dy ligjvënësit arritën një marrëveshje duke gjetur një kompromis për disa çështje të pazgjidhura të identifikuara në nivel teknik.

Ndërkaq, më 20 dhjetor 2022, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm analizoi tekstin final me synim arritjen e marrëveshjes dhe e konfirmoi atë.

Më 12 janar 2023, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe punët e Brendshme (Komiteti LIBE) konfirmoi marrëveshjen politike dhe më 13 janar 2023 kryetari i LIBE i dërgoi një letër Kryetarit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm duke konfirmuar se, nëse Këshilli miraton Rregulloren në lexim të parë, pas rishikimit ligjor gjuhësor, Parlamenti do të miratojë qëndrimin e Këshillit në leximin e tij të dytë.

Më 9 mars 2023, Këshilli Evropian me shumicë votash, duke përfshirë edhe nga vendet që s’e njohin Kosovën, votoi pro liberalizimit të vizave, duke lënë edhe shumë pak hapa deri kur vendimi të hyjë në fuqi.

Vlen të theksohet, se mes gjithë këtyre vendimeve, në një prej takimeve kryesore të grupit COREPER ku do të vendosej për vizat, çështja ishte larguar nga agjenda për shkak të tensioneve në veri të vendit në fund të vitit që lamë pas.

Lajme të ngjashme