PSRK i kërkon SPAK-ut të hetojë pasurinë e 89 shtetasve kosovarë, dyshime për pasuri me “prejardhje kriminale” - NACIONALE

PSRK i kërkon SPAK-ut të hetojë pasurinë e 89 shtetasve kosovarë, dyshime për pasuri me “prejardhje kriminale”

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) me një kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare, për të nisur hetime lidhur me pasuritë e mundshme në Shqipëri të 89 shtetasve kosovarë.

Kërkesa është bërë në kuadër të dyshimeve se këto pasuri mund të jenë krijuar nga të ardhura me prejardhje kriminale. Lajmi ishte raportuar fillimisht një ditë më parë, ndërsa Prokuroria Speciale e ka konfirmuar zyrtarisht për Reporteri.net.

“Prokuroria Speciale ju konfirmon se ka parashtruar kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare pranë autoriteteve të drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, për ndihmë në identifikimin e pasurive për të pandehurit që janë subjekt hetimi”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për "Reporteri.net".

Sipas këtij institucioni, kërkesa është miratuar nga Gjykata e Posaçme në Shqipëri, duke i hapur rrugë SPAK-ut për të vepruar në emër të autoriteteve kosovare.

Ndërkohë, mediumi shqiptar A2CNN ka raportuar se SPAK po zhvillon hetime ndaj 31 personave të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafik droge dhe pastrim parash. Hetimet, sipas raportimit, janë bazuar në komunikimet e siguruara përmes aplikacionit SKY ECC, nga autoritetet e drejtësisë në Belgjikë dhe Francë.

Në fokus të hetimeve janë edhe pasuritë e 58 personave të tjerë, kryesisht familjarë, në emër të të cilëve dyshohet se mund të jenë regjistruar pasuri të paligjshme. SPAK pritet të verifikojë pasuri të paluajtshme, si dhe llogari bankare të mundshme në Shqipëri.

Lajme të ngjashme