Pse Vetëvendosje nuk i ka bërë publik emrat e kandidatëve për deputetë? - NACIONALE

Pse Vetëvendosje nuk i ka bërë publik emrat e kandidatëve për deputetë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ka dy ditë që Lidhja Demokratike e Kosovës, ka publikuar listën tashmë të miratuar të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.

Nga lista e aprovuar me 110 kandidatë për deputetë, 36% prej tyre janë gra, kurse pjesë e listës janë edhe 5 kandidatë nga mërgata.

LDK është e vetmja parti deri tash që ka bërë një gjë të tillë, derisa afati për të dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë përfundon më 11 dhjetor.

Dy partitë tjera opozitare, PDK dhe AAK, kanë bërë publik disa nga emrat që mund të jenë në listë për deputetë, por Lëvizja Vetëvendosje, nuk e ka bërë asnjë lëvizje.

Ndonëse janë subjekti më i madh në Kosovë, partia në pushtet ende po i mban “sekret” emrat e kandidatëve.

Zyrtarë të kësaj partie kanë thënë më herët se do të bëjnë publike listën në momentin e duhur. Nuk dihet nëse në lista do të përfshihen edhe zyrtarët që janë duke u hetuar për korrupsion nga Prokuroria.

Përmes një statusi në Facebook, partia në pushtet ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët për Kryeministër për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

“Të gjithë anëtarët e Lëvizjes, të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje, përkitazi me kriteret e përcaktuara statutore, duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues nga data 4.12.2024 deri me datë 8.12.2024 pranë KZP (Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm)”, thuhet në njoftimin e publikuar më 4 dhjetor.

Afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë si dhe kërkesave për certifikim të partive politike në Komisionin Qendror Zgjedhor, përfundon më 11 dhjetor në orën 16:00.

Lajme të ngjashme