Protestuesit izraelitë po mundohen t’i bllokojnë kamionët e ndihmave për Gazën
Pavarësisht se ushtria izraelite e ka shpallur zonë të mbyllur ushtarake, dhjetëra protestues izraelitë po mundohen që ta parandalojnë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës në anën izraelite të pikëkalimit kufitar “Karam Abu Salem”.
Në disa video të publikuara në rrjete sociale shihen protestues duke valëvitur flamuj izraelitë, përderisa rrethojnë kamionë që po presin për të kaluar, raporton televizioni “Al Jazeera”.
Protestat me qëllim të bllokimit të hyrjes së ndihmave në Gaza janë mbajtur me javë të tëra.
Të dielën, një grup i kolonëve u grumbulluan afër Portit të Ashdodit për të bllokuar kamionë që po lëviznin drejt Gazës.
Të hënën, një kolonë e agjencisë së OKB-së për refugjatë palestinezë, UNRWA, që po priste për të lëvizur drejt veriut të Gazës, u godit nga zjarri izraelit nga deti.