Protesta të dhunshme në Argjentinë kundër masave shtrënguese nga presidenti Milei
Policia në Buenos Aires ka përdorur gaz lotsjellës dhe kamionë me ujë për t’iu kundërvënë protestave të dhunshme, përderisa Senati me shumicë të ngushtë votash e miratoi grupin e parë të masave të ashpra shtrënguese ekonomike të propozuara nga presidenti Javier Milei.
Rezultati erdhi pasi protestuesit, që po u bënin thirrje senatorëve ta refuzonin programin e Mileit për kursim të fondeve dhe çrregullim ekonomik, hodhën shkopinj, gurë e koktejë molotovi drejt policëve dhe rrotulluan vetura, raporton gazeta “The Guardian”.
Dhjetëra protestues u trajtuan nga mjekët në rrugë dhe policia tha se 20 pjesëtarë të saj ishin lënduar gjatë përleshjeve. Të paktën pesë deputetë të opozitës thanë se ishin dërguar në spital, pasi policia u kishte hedhur sprej kundër syve.
Mijëra punëtorë bankash, mësues, vozitës kamionësh dhe punëtorë të disa sindikatave të tjera ishin grumbulluar përreth ndërtesës së Kongresit gjatë ditës, duke u rënë daulleve e duke brohoritur “vendi ynë nuk është në shitje” dhe “ne do ta mbrojmë shtetin”.
Pas 11 orëve me debat të tensionuar, senatorët votuan me 37 vota “për” e 36 “kundër” të mërkurën, duke i dhënë një fitore legjislative fillestare Mileit në fushatën e tij për ta përmbushur agjendën ambicioze. Sidoqoftë, ligjvënësit prapëseprapë duhet të miratojnë masa përmes votimit nen për nen, që pritej të zgjaste tërë natën.