Protesta e 17 shkurtit, Komuna e Rahovecit mbështet marshin në përkrahje të krerëve të UÇK-së
Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka vazhduar fushatën e saj të takimeve nëpër Kosovë me një vizitë zyrtare në Komunën e Rahovecit, ku përfaqësuesit e saj u pritën nga kryetari i komunës, Smajl Latifi.
Dy themeluesit e platformës, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, prezantuan misionin dhe aktivitetet e “Liria ka Emër”, me theks të veçantë në mobilizimin qytetar për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Kërkojmë mbështetje që zëri i qytetarëve të Kosovës të dëgjohet fuqishëm më 17 shkurt”, tha Hoxha, duke e cilësuar marshin si thirrje për drejtësi të paanshme.
Ndërsa Tasholli theksoi se “Marshi ‘Drejtësi, jo politikë’ është reagim i domosdoshëm kundër shndërrimit të drejtësisë në instrument politik”.
Kryetari Latifi shprehu mbështetje për nismën, duke deklaruar se “drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë”.