Prokuroria vazhdon me aksionin në Brezovicë, përfshihet edhe Inspektorati i Pylltarisë
Prokuroria e Ferizajt ka vazhduar me aksionin në Brezovicë.
Sot në aksion është përfshirë edhe Inspektorati Qendror i Pylltarisë për shkak të dëmtimeve të mëdha të pyjeve.
KOMUNIKATA:
Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë e Krimeve të Rënda (DKR) në Prishtinë, Inspektoratin e Minsitrisë së Mjedisit, Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, Inspektoratin e komunës, Drejtorinë e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Agjensinë Kadastrale të Kosovës, edhe sot, janë duke vazhduar operacionin për identifikimin dhe regjistrimin e vikend-shtëpizave në zonën e Brezovicës.
Në operacionin e sotëm të pranishëm janë edhe Inspektorati Qëndror i Pylltarisë për shkak të dëmtimit të madh të pyllit në Parkun Kombëtar “Sharri” në zonën e Brezovicës.
Qëllimi i këtij operacioni është identifikimi i ndërtimit të gjitha objekteve në zonat e mbrojtura të parkut kombëtar se në cilat zona janë ndërtuar ato, a posedojnë leje ndërtimore dhe të njëjtat a janë në pajtim me ligjin.