Prokuroria ndalon punimet në një objekt në Hajvali për çështje të sigurisë
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka ndaluar punimet në një objekt në Hajvali, nën arsyetimin se aty po kryheshin punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës.
Tutje, në vend të ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar, koordinatori për rastet e veprave penale që ndërlidhen me sigurinë në vendin e punës, Inspektorati i Punës dhe policia me njësitet përkatëse.
“… Nga vendi i ngjarjes kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e pasojave të mundshme gjatë punës dhe sigurinë në punë, si dhe parandalimin e veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’, nga neni 358 të KPRK-së.
Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rast ndaj personit përgjegjës si person juridik, në drejtim të veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 358 të KPRK-së, ndërsa, me vendim të Inspektoratit të Punës, janë ndaluar punimet në këtë objekt deri në një vendim të radhës”, thuhet në njoftim.