Prokuroria autorizon Policinë për hetime mbi rinumërimin e votave në Drenas - NACIONALE

Prokuroria autorizon Policinë për hetime mbi rinumërimin e votave në Drenas

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit të Krimeve të Rënda, ka autorizuar Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me procesin e rinumërimit të votave në komunën e Drenasit.

Sipas njoftimit zyrtar, prokuroria ka qenë duke e përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Pas përfundimit të këtij procesi në Drenas, janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet, çka ka ngritur dyshime për shkelje të mundshme.

Në këtë kontekst, prokurori i shtetit ka lëshuar sot autorizim për Policinë e Kosovës, me qëllim të grumbullimit të informatave, evidentimit të shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimit të provave relevante që lidhen me këtë rast.

Po ashtu, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë bëhet e ditur se procesi i rinumërimit po monitorohet nga afër edhe në komunat e tjera që bien në kompetencë të kësaj prokurorie. Pas përfundimit të plotë të rinumërimit, do të analizohen të gjitha rrethanat dhe nuk përjashtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve shtesë për grumbullim të informatave.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e vendosur në luftimin e dukurive negative në Republikën e Kosovës, veçanërisht në rastet që lidhen me mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë dhe demokratike.

Lajme të ngjashme