Prokurori turk thotë se rivali i Erdoganit duhet të dënohet dhe t’i ndalohet politika - NACIONALE

Prokurori turk thotë se rivali i Erdoganit duhet të dënohet dhe t’i ndalohet politika

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një prokuror turk kërkoi të premten nga një gjykatë e këtij shteti që t’ia ndalojë pjesëmarrjen në veprimtari politike kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, rival i popullarizuar i presidentit Rexhep Erdogan, me arsyetimin se ka fyer zyrtarë publikë, por shqyrtimi i rastit është shtyrë për dhjetor.

Sipas anketave, Imamoglu do të ishte kandidat i fuqishëm kundër Erdoganit, nëse ai merr pjesë në zgjedhjet e përgjithshme vitin e ardhshëm. Blloku opozitar në Turqi ende nuk ka përzgjedhur një kandidat për president, raporton agjencia “Reuters”.

Imamoglu kishte fituar një garë të ngushtë për Stambollin më 2019 kundër kandidatit të partisë së Erdoganit. Pas anulimit të rezultateve, ai kishte fituar përsëri me dallim më të madh në vota. Fitorja e tij i kishte dhënë fund pushtetit 25-vjeçar të Partisë AK në qytetin më të madh të Turqisë.

Imamoglu akuzohet për fyerje të zyrtarëve publikë në një fjalim të mbajtur në vitin 2019, në të cilin kishte thënë se personat që i kishin anuluar zgjedhjet, ishin budallenj. Dënimi maksimal për këtë akuzë është katër vite burgim.

Të premten, gjykata e shtyri shqyrtimin e rastit për dhjetor për të vlerësuar një kërkesë të avokatit mbrojtës për përjashtimin e gjykatësit të rastit. Gjykata e caktoi seancën e radhës për 14 dhjetor.

Kritikët thonë se sistemi gjyqësor i nënshtrohet vullnetit të presidentit Erdogan, por pushtetit thotë se ky sistem është i pavarur.

Lajme të ngjashme