Projekti i instalimit të kamerave të sigurisë në kryeqytet, në fazën e fundit
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se projekti i instalimit të kamerave të sigurisë në kryeqytet është në fazën e fundit.
Përmes një njoftimi, komuna ka treguar se në këtë fazë janë instaluar 24 kamera me njohje automatike të targave (ANPR), 6 kamera videovezhguese multisensor dhe 1 kamerë rrotulluese PTZ.
Sipas komunës, kamerat janë vendosur në këto pika strategjike: Veternik – te “Shelli”, Veternik – te ura, Veternik – rruga kryesore (magjistralja Prishtinë–Ferizaj), Rr. “B” – rrethi te Maxi, Rr. “B” – rrethi te barnatoret, Shkolla “Pavarësia”, Hyrja/dalja te tuneli nën Kurriz, Shkolla Ekonomike, Te ura – rruga për Fushë Kosovë.
“Gjithashtu, në pikat ekzistuese janë shtuar kamera të reja ANPR për mbulim më efikas dhe monitorim të vazhdueshëm të trafikut dhe sigurisë publike. Deri më tani, janë instaluar gjithsej 165 kamera sigurie në 54 lokacione të ndryshme të Kryeqytetit. Ky është projekt i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit, si pjesë e strategjisë për forcimin e sigurisë publike dhe menaxhimin e integruar të trafikut urban”, është thënë në njoftimin e Prishtinës.