Projekligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ka qenë i pashmangshëm
Deputetja nga radhët e VV-së, Mimoza Kusari-Lilaj, në fjalën e saj sot në Kuvend vlerësoi se ky projektligj është një nga projektligjet më të rëndësishme për luftimin e korrupsionit.
“Konfiskimi i pasurisë është obligim i shtetit të së drejtës dhe nevojë e shoqërisë përmes së cilës do të avancohet rrugëtimi drejt integrimit evropian dhe i njëjti do t’i shërbejë nevojave institucionale të vendit”, tha Kusari-Lilaj.
Më tutje ajo pohoi se një hap i tillë ka qenë i pashmangshëm.
“Duke pasur parasysh se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme si kategori ligjore nuk ka dhënë rezultate të pritshme deri më tani – zgjerimi i perspektivës ka qenë i pashmangshëm. Konfiskimi i pasurisë njihet si çelës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, por jo çdo herë ky qëllim është arritur nëpërmjet procedurës penale” shtoi Kusari-Lilaj.