Problemet e komunave me kontratat kolektive, Ibrahimi: As Kuvendi nuk e gjeti zgjidhjen - NACIONALE

Problemet e komunave me kontratat kolektive, Ibrahimi: As Kuvendi nuk e gjeti zgjidhjen

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se as Kuvendi i Kosovës nuk e gjeti zgjidhje për ndalimin e “gjakderdhjes financiere” të shkaktuara nga kontratat kolektive.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se komunat edhe vitin në vitin 2025 do të dëmtohen shumë nga zbatimi i kontratave kolektive.

Ai ka treguar se Kuvendi nuk e ka përfshirë në Ligjin për Buxhetin 2025, i cili është miratuar dje, kërkesën e AKK-së për një vijë buxhetore në buxhetin e për vitin 2025 për mbulimin e shpenzimeve që burojnë nga kontratat kolektive

“Edhe përkundër përpjekjeve të Asociaiconit të Komunave të Kosovës, Kuvendi I Republikës së Kosovës nuk e ka përkrahur kërkesën e Komunave që ta parasheh një vijë buxhetore në buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 për mbulimin e shpenzimeve që burojnë nga kontratat kolektive. Deri më tani Komunave iu janë marë padrejtësisht mbi 123 milion euro, ku si pasojë shumë e shumë projekte nuk kanë mundur të realizohen. Gjykata komerciale për më shumë se dy vite nuk po I shqyrton kërkesat e Komunave për problematikën e kontratës kolektive. Bazuar në Ligjin e miratuar mbrëmë, shihet se Kuvendi e ka amandamentuar një nen, përkatësisht nenin 34 në paragrafin 5 të ligjit ku thuhet që: buxheti i paraparë për pozitat e paplotësuara lejohet të përdoret vetëm për pozitat e reja që rekrutohen përgjatë vitit fiskal në atë organizatë buxhetore (ob), përjashtimisht kjo ndarje buxhetore mund të përdoret nga ob për pagesën e detyrimeve që mund të rrjedhin nga vendimet e gjykatave të formës së prerë”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, një gjë e tillë do të sjell probleme të shumta për komunat e Kosovës.

“Kjo asesi nuk bën zgjidhje të problemit që komunat po ballafaqohen me zbatimin e kontratave kolektive. Në bazë të analizave të AKK-së, del që buxheti I mundshëm që komunat mund ta kenë për vitin 2025, bazuar në nenin e lartëpërmendur, pra për pagesën e detyrimeve që mund të rrjedhin nag vendimet e gjykatave të formës së prerë janë rreth 12.7 milion euro dhe kjo mund të zbatohet vetëm nëse komunat nuk rekrutojnë as edhe një zyrtar publik për pozitat që I kanë në dispozicion. KJO NUK ËSHTË ZGJIDHJE. Komunave vetëm në vitin 2024 iu janë marë mbi 62 milion euro dhe ky trend është duke vazhduar. Realiteti është I hidhur por vullneti dhe gatishmëria nga niveli qëndror për ta zgjidhur këktë problem po mungon. Arsyet që kjo nuk po zghidhjet nga niveli qëndror mund t’I dijnë shumica e kryetarëve, por këto arsye ata mund t’i bëjnë të ditura vitin 2025, atëherë kur janë edhe zgjedhjet lokale”, është shprehur ai, duke dhënë detaje tjera.

“Sa i përket gjakderdhjes financiare, vetëm një shembull konkret; nëse një komune I meren 240 mijë euro për zbatimin e kontratës kolektive, kësaj shume I shtohen edhe 120 mijë euro të tjera për, proceset përmbarimore, gjykata, avokat etj. Pra, kostoja totale mund të shkojë deri në 360 mijë euro, pra kemi ngritje të shpenzimeve për 50% e që kjo % paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është shprehur Ibrahimi.

Lajme të ngjashme