Prishtina pritet të bëhet me tunel në formë të shkronjës "Y"
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar për projektin për ndërtimin e një tuneli në rrugën “Agim Ramadani”.
Ky tunel sipas tij do të ketë formën e shkronjë Y dhe do të shtrihet në rrugën të shkolla e mesme “Sami Frashëri” dhe të rrethi i vogël te komuna e vjetër e Prishtinës.
Ai ka thënë se ky projekt do të ndihmojë në qarkullimin e komunikacionit dhe përmbi tunel do të bëhet zonë për kombësorët.
“Një projekt i një rëndësie të veçantë dhe një fokus kyç i kryetarit Rama është edhe tuneli në rrugën ‘Agim Ramadani’, i cili është pas teatrit dhe vazhdon deri te shkolla e mesme ‘Sami Frashëri’ dhe deri te rrethi i vogël këtu te komuna e Prishtinës. Është një tunel në formë të shkronjës Y.” – ka thënë ai për EO.
“Ideja është që veturat të hyjnë nëntokë në tunel kurse mbi tokë e gjitha të jetë për këmbësorë dhe t’ia kthejmë pamjen e vjetër qytetit të vjetër të Prishtinës, ku janë edhe xhamitë kryesore, nga Xhamia e Çarshisë deri te Xhamia e Madhe. Duam që t’ia kthejmë kalldrëmin e vjetër qytetit dhe të kthehet në një zonë për këmbësorë”.
Zogaj ka thënë se fillimi i këtij projekti do të bëhet në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Aktualisht jemi duke e projektuar, pas projektimit shpallet tenderi, zgjedhim kompaninë implementuese dhe në pranverën e vitit 2024 fillojmë me implementim.” – ka thënë ai
